2026/02/14
Banner Top
Hana Marteti reagon ndaj Radiotelevizioni i Kosovës: Dyshime për diskriminim dhe vendime pa transparencë

Gazetarja Hana Marteti përmes një shkrimi në Facebook ngre shqetësime serioze për ndërprerjen e kontratës së saj në transmetuesin publik të Kosova, duke theksuar dyshime për trajtim të pabarabartë, mungesë transparence dhe shkelje të procedurave institucionale. Në reagimin e saj publik, ajo kërkon sqarim dhe paralajmëron ndjekje të rrugëve ligjore në mbrojtje të dinjitetit profesional dhe parimeve të barazisë në media.

Ja reagimi i saj i plotë:

REAGIM PUBLIK

Ndihem e detyruar të reagoj publikisht lidhur me mos-vazhdimin e kontratës sime si gazetare në Radiotelevizionin e Kosovës.

Jam rritur në media që në moshë të re. Gazetaria për mua nuk ka qenë thjesht një vend pune, por mision dhe identitet profesional. Kam punuar me vite në redaksi të ndryshme, shpesh pa orar, me sakrifica personale, duke e vendosur mbi gjithçka përgjegjësinë për informim të drejtë dhe profesional.

Në RTK nuk kam shkuar për t’u formuar – kam shkuar e formuar, me bagazh të konsoliduar gazetaresk dhe përvojë të dëshmuar në terren dhe jo vetem.
Jam pranuar përmes një konkursi të rregullt publik dhe kam kaluar të gjitha procedurat përkatëse ligjore. Gjatë gjithë angazhimit tim kam shërbyer me dinjitet, integritet dhe profesionalizëm.

Kam punuar sipas çdo nevoje të televizionit, në redaksi të ndryshme, aty ku është kërkuar kontributi im. Kam qenë në terren gjatë proceseve zgjedhore me orar e pa orar, në kushte presioni dhe ngarkese të lartë pune. Kam vazhduar të punoj edhe gjatë kohës së shtatzënisë, përkundër vështirësive fizike dhe temperaturave të larta, duke mos u tërhequr nga përgjegjësitë profesionale.

Dhoma e lajmeve në RTK ka vazhdimisht nevojë për gazetarë – kjo është e njohur brenda institucionit. Shpesh kërkohen punëtorë shtesë për të përballuar ngarkesën. Megjithatë, në ditën kur neve na është dorëzuar njoftimi për mosvazhdim të kontratës nga administrata, po atë ditë është dërguar një email nga ud.kryeredaktori me vendim për kthimin e disa personave nga redaksi të tjera në dhomën e lajmeve.
Ky veprim e bën edhe më të pakuptueshëm dhe kontradiktor vendimin për mos-vazhdimin e kontratës sonë.

Për më tepër, punëtorë me kontrata të njëjta janë trajtuar ndryshe: dy kontrata janë vazhduar, ndërsa dy të tjera jo duke u thirrur në performancë e vlerësim që nuk është kryer kurrë. Pa kritere të shpallura dhe pa arsyetim të dokumentuar, kjo krijon bazë serioze për dyshim në trajtim të pabarabartë dhe diskriminues.

Dua të shtoj se nuk kam asgjë kundër kolegeve që u janë vazhduar kontratat, por kundër trajtimit diskriminues.

Shqetësues mbetet edhe fakti që drejtimi aktual i televizionit ushtrohet nga persona pa mandat të plotë dhe pa titull të konfirmuar përmes procedurave të rregullta institucionale, gjë që e vë në pikëpyetje legjitimitetin e vendimeve të marra në këtë periudhë.

Gjithashtu, kam përjetuar një klimë përjashtuese, ku mospajtimi profesional apo mendimi ndryshe nuk është trajtuar me standarde demokratike komunikimi, çka nuk i shërben kulturës institucionale të një media publike.

Vendimmarrja për largim nga puna është kryer pa kompetencë pa respektuar asnjë procedurë gjë që të krijon përshtypjen se RTK po drejtohet nga persona që institucionin e konsiderojnë si pronë private duke vepruar sipas preferencës.

Në transmetuesin publik duhet të verifikohen kontrata të personave që me vite kanë bërë vetëm hyrje-dalje ne portën e RTK e nuk kanë asnjë angazhim në televizion qe një kohë të gjatë, e jo kontrata të personave që prodhojnë çdo ditë!

Ky reagim nuk është vetëm për një kontratë pune. Është për parimin e barazisë, transparencës dhe respektimit të dinjitetit profesional. Media publike duhet të jetë model i ligjshmërisë dhe i respektimit të punës së ndershme, jo hapësirë për vendime selektive dhe pa llogaridhënie.

Perveç zyrtarisht, jam munduar edhe personalisht të kërkoj përgjigje por që askush nuk ka marrë përgjegjësi.

Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar sqarim dhe drejtësi, duke mbetur e palëkundur në përkushtimin tim ndaj gazetarisë së pavarur dhe etike.

RTK është e publikut, jo e individëve të caktuar!

Banner Content