Një situatë e paprecedentë në rradhët e inteligjencës amerikane ka shpërthyer pas një lajmi të publikuar nga “Wall Street Journal”, sipas të cilit Tulsi Gabbard, drejtoresha kombëtare e shërbimeve inteligjente të SHBA-ve, është akuzuar për fshehje të një regjistrimi të rëndësishëm ku përmendej Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump.
Sipas raportimeve, në maj të vitit të kaluar, inteligjenca e një vendi aleat ka regjistruar një bisedë midis dy zyrtarëve të huaj, në të cilën diskutonin mbi ndikimin e personave të ndryshëm mbi presidentin Trump dhe mbi çështje të ndjeshme të politikës së jashtme, përfshirë Iranin.
Regjistrimi, i konsideruar tepër i ndjeshëm, iu dorëzua shërbimeve inteligjente amerikane. Por sipas një burimi të brendshëm, kur Gabbard e dëgjoi regjistrimin, ajo ka kërkuar të fshijë emrin e Kushner dhe ka ndaluar shpërndarjen e materialit brenda kanaleve të brendshme të inteligjencës. Ky veprim ka shqetësuar një punonjës të shërbimeve, i cili ka përdorur mbrojtjen ligjore për të denoncuar rastin dhe për të nisur një hetim.
Sipas burimeve, Gabbard ka thënë për “Wall Street Journal” dhe “New York Times” se biseda nuk kishte ndonjë gjë problematike dhe se informacioni mbi Kushner ishte i lehtë për t’u rikthyer. Megjithatë, fakti që vetëm ajo dhe shumë pak e dinin përmbajtjen e regjistrimit e bën situatën jo të këndshme.
Skandali ka shkaktuar ndarje të fortë në politikën amerikane. Demokratët kërkojnë hetim të plotë, duke ngritur pyetjen nëse ndikimi i Kushner ka luajtur ndonjë rol në vendime të rëndësishme të politikës së jashtme, si sulmet ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit në qershor. Republikanët, nga ana tjetër, e mbrojnë Gabbard dhe thonë se veprimet e saj kanë qenë brenda ligjit dhe protokolleve të sigurisë.
Ky incident ngre gjithashtu pyetje mbi kompetencën dhe integritetin e Gabbard si drejtoreshë e inteligjencës kombëtare, pas një serie diskutimesh dhe përjashtimesh të mëparshme nga operacione të rëndësishme, si ai ndaj liderit venezuelian Maduro. Sidoqoftë, ajo duket se po vepron në favor të Trump, duke marrë pjesë në hetime për pretendimet e mashtrimeve elektorale në Georgia.
Megjithëse informacioni mbi Kushner mbetet sekret, ngjarja është një tjetër tregues i tensioneve të brendshme në administratën Trump dhe ndikon drejtpërdrejt në besueshmërinë e institucioneve të inteligjencës amerikane.



