Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.
Ai, ashtu si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të jenë sot në Prishtinë.
Begaj pritet që të qëndrojë edhe nesër, ndërkohë që Policia ka njoftuar se si do ta rregullojë çështjen e trafikur kur eskorta e delegacionit shqiptar të kalojë këndej.
“Me datë 16 dhe 17 shkurt 2026, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj. Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Policia tregoi se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes, ardhjes më datë 16 shkurt në orët e pasdites në pikën kufitare Vërmicë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës deri në kthim më datë 17 shkurt në orët e mbrëmjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”.



