Bjellorusia, aleate e ngushtë e Rusisë që rrallë ftohet në tubime ndërkombëtare, tha të enjten se synonte që të merrte pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes të presidentit Donald Trump në Uashington, por nuk iu lëshuan vizat e nevojshme amerikane.
Bjellorusia për një kohë të gjatë është nën sanksione perëndimore për shkak të gjendjes së të drejtave të njeriut dhe masat ndëshkuese ndaj këtij shteti u ashpërsuan, pasi presidenti Aleksander Lukashenko lejoi që territori i vendit të tij të përdorej për pushtimin rus të Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Trumpi ka bërë disa ndryshime në qëndrimet e Uashingtonit ndaj Minskut, duke i hequr disa sanksione në këmbim të lirimi të atyre që cilësoheshin si të burgosur politikë nga shtetet perëndimore.
Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Maxim Ryzhenkov, pritej të merrte pjesë në takim, tha Ministria e Jashtme, dhe pala amerikane ishte e njoftuar për këtë.
“Megjithatë, pavarësisht kryerjes së të gjitha procedurave të kërkuara nga ana jonë, delegacionit tonë nuk iu lëshuan vizat” – tha Ministria e Jashtme në një deklaratë.
“Në këtë situatë, shtrohet një pyetje e vlefshme – për çfarë lloji të paqes dhe për çfarë rendi hapash po flasim, nëse organizatorët nuk mund t’i plotësojnë as formalitetet bazë që ne të marrim pjesë” – thuhet më tej.
Ministria e Jashtme tha se ftesa nga Trumpi për pjesëmarrje në takimin e Bordit të Paqes i ishte dërguar fillimisht homologut Lukashenko.
Lukashenkoja, në pushte që nga viti 1994, muajin e kaluar u pajtua që vendin e tij ta bënte pjesë të Bordit të Paqes – ftesë e ofruar nga Uashingtoni si pjesë e procesit të normalizimit të marrëdhënieve, ku përfshihet edhe lirimi i të burgosurve./Nacionale



