2026/02/20
Banner Top
Kusari-Lila: Jam e bindur se do të gjendet një kompromis për presidentin

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se pret arritjen e një kompromisi politik për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Në një intervistë për Kosova Press, ajo citohet të ketë thënë se Vjosa Osmani është kandidate serioze dhe ka bërë punë të mirë si presidente përgjatë pesë viteve të kaluara.

“Po unë jam e bindur se do të gjendet një kompromis politik. Nuk po e di a është ky kombinimi i optimizmit apo edhe i ndjesisë që po e marr deri tash nga legjislatura e dhjetë. Fatmirësisht legjislatura 10 ka filluar me një disponim tjetër në kuptimin e komunikimit edhe bashkëpunimit mes grupeve parlamentare pozitë-opozitë… Këto ditë pritet diskutimi tashmë për procesin që po na pret, zgjedhjen apo rizgjedhjen e presidentit, presidentes, domethënë varet. Dhe përmbajtësore është që e para të kemi 30 nënshkrime për cilindo kandidat që prezantohet dhe e dyta, që të sigurohemi që janë 80 deputetë që do të qëndrojnë gjatë procesit… Kjo tashmë është pjesa e dytë që e udhëheq kryeministri Kurti, lider i partisë më të madhe në vend. Ne së shpejti do të kemi një dakordim në kuadër të Grupit Parlamentar… Ende nuk është diskutuar emri i përveçëm, pasi emra janë përmendur, por ende nuk është diskutuar në kuptimin e fillimit të procesit për mbështetje”.

“Ne kemi pasur bashkëpunim me Zyrën e Presidentes për këto tash pesë vite që po bëhen. Në kuptimin e bashkëpunimit institucional, kur kanë qenë diskutimet apo takimet me liderë, kemi pasur rastin kur Zyra e Presidentes ka pasur amendamente për buxhetin e shtetit, të cilat pastaj janë përcjellë nga këshilltarët e saj për komisionet relevante. Unë besoj që edhe me përfaqësimin e saj jashtë vendit, edhe me aktivitetin e saj brenda vendit, ka dhënë, ka treguar një performancë… Mund të them që është një kandidaturë shumë serioze në raport me pozitën, vendin dhe zyrën që ajo e mban ose që pretendon ta vazhdojë edhe për pesë vite të tjera… Nuk kemi pasur diskutime me kryeministrin Kurti në specifikë për këtë, për shkak se deri më tash diskutimet ishin qoftë për konstituimin e Kuvendit, pastaj edhe për qeverinë” – ka thënë ajo.

Banner Content