Prifti katolik, Don Shan Zefi, tha se deklarata e tij nga një intervistë e tij dhënë në radion gjermane Deutschlandfunk i është shtrembëruar pas lajmeve që dolën se ai ka thënë se “Si mysliman nuk ke shpirt shqiptar”.
Ai tha se kjo nuk e përfaqëson atë dhe tha se “po bëhen përpjekje” që intervista të publikohet e plotë dhe pa ndërhyrje.
“Pretendimi se unë kinse kam deklaruar se: “si musliman nuk ke shpirt shqiptari” është një shtrembërim i qëllimshëm dhe manipulim i fjalëve të mia. Një formulim i tillë nuk përfaqëson mendimin tim në intervistë, dhe as qëndrimin tim publik, të cilin e kam dëshmuar për dekada të tëra përmes veprës sime meshtarake, shkencore dhe kombëtare”.
Zefi tha se edhe në të kaluarën është përballë me “manipulime e falsifikime”, ndërsa tha se “në këtë rast do të ndiqen rrugët institucionale dhe ligjore për të zbardhur plotësisht të vërtetën”.
Deklarata e plotë e tij:
Lidhur me intervistën time në radion gjermane Deutschlandfunk dhe interpretimet e saj të pasakta që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe në disa media, ndiej për detyrë morale dhe publike të sqaroj opinionin.
Pretendimi se unë kinse kam deklaruar se: “si musliman nuk ke shpirt shqiptari” është një shtrembërim i qëllimshëm dhe manipulim i fjalëve të mia. Një formulim i tillë nuk përfaqëson mendimin tim në intervistë, dhe as qëndrimin tim publik, të cilin e kam dëshmuar për dekada të tëra përmes veprës sime meshtarake, shkencore dhe kombëtare.
Në intervistën në fjalë kam mbrojtur identitetin dhe traditën shqiptare, duke theksuar se shqiptaria është një vlerë historike, kulturore dhe shpirtërore që duhet ruajtur nga ndikimet e huaja që nuk përputhen me traditën dhe kulturën tonë kombëtare. Çdo interpretim tjetër është tendencioz dhe synon të krijojë përçarje ndërfetare dhe të dëmtojë figurën time publike.
Kjo nuk është hera e parë që përballem me manipulime dhe falsifikime publike. Edhe në të kaluarën janë krijuar materiale të rreme në emrin tim, për të cilat janë ndërmarrë veprime ligjore. Edhe në këtë rast do të ndiqen rrugët institucionale dhe ligjore për të zbardhur plotësisht të vërtetën.
Po bëhen përpjekje që intervista të publikohet e plotë dhe pa ndërhyrje, në mënyrë që opinioni publik të gjykojë mbi bazën e fakteve dhe jo të interpretimeve të pjesshme apo të manipuluara.
Gjatë gjithë jetës sime kam punuar pa ndërprerë për të mirën e popullit shqiptar, për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për bashkëjetesën ndërfetare, pa dallim besimi apo përkatësie. Kjo është një e vërtetë e njohur publikisht dhe e dokumentuar në veprimtarinë time shumëvjeçare.
Prandaj kërkoj nga ata që kanë shtrembëruar fjalët e mia dhe kanë përhapur interpretime të pavërteta që të ndalojnë këtë manipulim dhe të kërkojnë falje publike për dëmin e shkaktuar opinionit dhe harmonisë ndërmjet shqiptarëve.
Unë do të vazhdoj, si gjithmonë, të mbroj vlerat shpirtërore, kulturore dhe kombëtare të popullit shqiptar me përkushtim dhe përgjegjësi.
Me respekt!



