Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për vizitën që ka realizuar të premten në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë me rastin e 18 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Përgjatë kësaj vizite, janë ndarë certifikata për zyrtarët e rinj të këtij institucioni dhe është përuruar një objekt modern në kompleksin e AKI-së.
Kurti në njoftimin e tij për vizitën në AKI thotë se inteligjenca mbetet një nga hallkat më të rëndësishme në mbrojtjen e sovranitetit.
“Në kuadër të prioriteteve tona për të mbështetur sektorin e sigurisë, AKI ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rritje të lartë të buxhetit dhe kjo mbështetje do të vazhdojë”, ka shkruar Kurti.
Kreu i Qeverisë thotë se është i inkurajuar nga fatkti që “AKI po avancon vazhdimisht kapacitetet e saj teknologjike, analitike dhe operative, me ambicie dhe objektiva të qarta, duke u përshtatur me realitetin e ri të sigurisë dhe duke forcuar bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë”.



