Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se aktualisht nuk është pjesë e ndonjë procesi për kandidim për president të vendit dhe se nuk ka nisur asnjë iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve në mbështetje të tij.
Haradinaj tha se ka tentuar të krijojë një qëndrim të përbashkët opozitar me Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, por pa sukses
“Nuk jam në një proces të tillë. Nuk jam kandidat për president. Nëse një grup i deputetëve 30, e pastaj më shumë e vlerësojnë që jam kandidat i duhur. E vlerësoj, nuk i iki përgjegjësisë. Por, nuk jam kandidat dhe s’kemi një proces të mbledhjes së nënshkrimeve. I kam takuar, iu kam shkruar disa herë. Kam provuar me kryetarin Hamza dhe Abdixhiku që të krijojmë një qëndrim të përbashkët si opozitë. Për krejt procesin e krijimit të institucioneve. Edhe para zgjedhjes së qeverisë. Ta kemi një qëndrim të përbashkët. Nuk arritëm ta kemi një qëndrim të tillë”, ka thënë Haradinaj.
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri është 4 marsi.



