Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë sot në Kampin Bondsteel në ceremoninë e ndërrimit të komandës dhe pranim-dorëzimit të detyrës së komandantit të Komandës Rajonale-Lindje të misionit të KFOR.
Komandanti i deritashëm, koloneli Jonathan Lloyd, ia dorëzoi detyrën kolonelit Sam Sargeant.
Presidentja i uroi kolonelit Sargeant detyrën e re, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani ritheksoi se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e palëkundur në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe forcimit të paqes e sigurisë në vend.



