2026/03/09
Banner Top
Shatri: Pse e huqi Albin Kurti?

Shkruan: Xhafer Shatri

PSE E HUQI ALBIN KURTI ?

Para dy ditësh e postova një koment me titull të pashmangshëm : « Vetëvrasja politike e Albin Kurtit ».

Komenti, e sidomos titulli i tij, shkaktoi një rrëmet të vogël edhe te miqtë e mi. Ndërkaq myhybët e VV-së nuk u kursyen me reagimet e tyre të djegësa, të cilat, si zakonisht, i çova atje, ku e kanë vendin bashkë me autorët e tyre të sertë.

Sidoqoftë, debati i nxehtë për dështimin e zgjedhjes së Shefit të Shtetit gjithsesi imponon një sqarim të themelshëm.

Pas zgjedhjeve plebishitare të 28 dhjetorit, është pritur që Albin Kurti do ta dëshmojë se është burrështeti. Sepse, që në mbledhjen e parë, ku do t’i besohej detyra e Kryeministrit, do t’i drejtohej Kuvendit të Republikës me këso fjalësh:

« Subjekti që unë drejtoj i ka fituar votat dhe që tani e tutje i janë besuar dy postet kryesore të Republikës tonë: i Kryetares së Kuvendit dhe i Kryeministrit… Por, siç e dini, mandati i Kryetares, Vjollca Osmani, përfundon më 4 prill. Kështu që neve na mbetet të bisedojmë qysh tash lidhur me kandidatatët e mundshëm për Kryetar të Kosovës, në mënyrë që të mos krijojmë kriza të panevojshme institucionale.

Meqë ky funksion përfaqësues duhet të pasqyrojë patjetër unitetin e qytetarëve të Kosovës, mendoj se, edhe për shkak të ekuilibrit institucional, Kryetarja-i i ardhshëm duhet të jetë një personalitet që nuk i takon asnjë partie politike, pra as Lëvizjes Vetëvendosje.

Në këtë kuptim, e ftoj opozitën që, brenda 5 ditësh, të dalë me një propozim konkret. Të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe ne, pozita.

Kështu që do t’i kemi dy kandidate-ë dhe ata do ta kenë një muaj për të shpërfaqur idetë e veta se çka do të bëjnë gjatë mandatit të tyre. Dhe pastaj që të dy do të dalin në Kuvend dhe deputetët ta zgjedhin atë që është më i miri ose më e mira…

Apo, nëse doni, të dy kandidatët le të garojnë përmes zgjedhje të përgjithshme…

Ju mbetet ju, opozitës, që të vendosni për këtë çështje …»

***
Menjëherë pastaj do të duhej ta takonte Zonjën Osmani dhe ta sheshojnë bashkëpunimin e gjeratyshëm, cili nuk besoj të ketë qenë aq i lehtë, për shkak të karakterit të tyre të fortë.

Edhe me të do të duhej të ishte konkret; Nëse doni të kandidoni sërish për Kryetare të Shtetit dhe të jeni kandidatja e jonë, kjo do të bëhet me një marrëveshje paraprake dhe me shkrim:

Bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me qeverinë dhe pa asnjë boshllëk:

Mbrojtjen absolute, dhe me të gjitha mjetet, të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës;

Ndryshimin me çdo kusht të Kushtetutës, që është kthyer në pengesë serioze për funksionimin e shtetit;

Referendumi duhet të jetë kategori kushtetuese, përmes të cilit qytetarët, e jo dreqi e i biri, do të vendosin për fatet dhe për institucionet e Kosovës;

Në reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe pastrimin e tij nga pjesëtarët e krimit të organizuar;

Në aprovimin e ligjeve që përjashtojnë amnestimin e atyre që i kanë shkelë ligjet kudoqoftë dhe herëdokur;

Nëse nuk ka pajtim ndahen udhët. Kosova ka plot gra e burra që mund ta kryejnë atë detyrë.

***
Kjo qasje do të krijonte bazën që zgjedhja e Kryetar(it )es së Kosovës të mos i ngjajë rrëfimit për ‘macën në thes’, por të jetë një proces serioz që e meriton posti i të Parit të Vendit, sepse do të përjashtonte pazaret e neveritshme dhe praktikën denigruese që Shefi i Shtetit të dalë nga ‘lama e leshit’, nga xhepat ose zarfat…, si të ishte fjala për «polar» të katundit.

***
Në këtë rast Albin Kurti:

Do t’i bënte një shërbim të madh të Kosovës;

Do t’i jipte politikës, mësimin e historisë që na këshillon se pushtetin dhe ushqimin duhet shijuar me karar… Sepse, nëse e shtin në gojë kafshatën e madhe, është dro me të mbetë në fyt;

Do t’i jipte një mësim edhe opozitës, e cila do të detyrohej të marrë pjesë aktive në zgjedhjen e Kryetares-it të shtetit.

Sepse, në të kundërtën, do t’i humbte zgjedhjet me ka krejt: LDK do të mbetej vjerrun, në prag dhe për shumë kohë, ndërsa PDK nuk do t’i merrte as 10% të votave.

***
Me një akt të tillë prej burrështeti Albin Kurti do ta siguronte fitoren edhe në dy palë zgjedhje të ardhshme dhe, besomëni, pa i nxjerrë duart prej xhepave.

 

Banner Content