Shkruan: Aferdita Saracini Kelmendi
Kur politika zhvishet nga dinjiteti
Ju që sot mbani postet më të larta të këtij shteti duhet ta dini: shteti nuk është pronë personale dhe nuk është tavolinë loje ku testohen strategji politike.
Ajo që po ndodh në raportin publik mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit nuk i ngjan një përballjeje të denjë politike. I ngjan një gare të lodhshme për dominim, ku intervistat, insinuatat dhe manovrat përdoren si armë të përditshme.
Dhe kjo është thellësisht e padinjitetshme.
Zonja Presidente, kur intervistat tuaja hapin mjegull dhe tension publik, institucioni që përfaqësoni nuk duket më i fortë. Është i përfshirë në konflikt.
Zoti Kryeministër, politika e manovrave të pafundme dhe e kalkulimeve të përhershme mund të jetë efektive për pushtet, por kur bëhet stil qeverisjeje, ajo bëhet një lojë që nuk mbaron dhe shkakton konflikt të vazhdueshëm si ushqim i egos, ndërsa rrënohet dinjiteti.
Njëri përmes intervistave që ndezin tensione.
Tjetri përmes një loje taktike që nuk ndalet, pa llogaritur dëmet për shtetin.
Dhe në mes të kësaj përplasjeje, shteti humb jo vetëm peshë, por edhe kuptim!
Kosova nuk është një vend që mund të përballojë luksin e një politike që duket e vogël e merret me egot individuale. Ky shtet është ndërtuar me sakrifica shumë më të mëdha sesa këto lojëra nervash në majën e institucioneve.
Kur qytetarët shohin këtë skenë, nuk shohin lidership. Shohin individë që kanë rrënuar jo vetëm veten, shohin një konflikt të pafund që e gërryen seriozitetin e shtetit.
Dhe kur politika zbret në këtë nivel, ajo zhvishet dhe mbetet cullak nga ajo që duhet ta mbajë në këmbë: DINJITETI
Nganjëherë të krijohet ndjenja sikur do të doje t’i biesh malit me grusht, vetëm që kjo politikë të zgjohet nga vogëlsia e saj.
Por mali nuk lëviz.
Ajo që duhet të lëvizë është ndërgjegjja politike dhe publike — nëse i ka mbetur ende pak dinjitet.



