TIRANË– Në përpjekje për të sulmuar Ervin Salianjin pasi i doli kundër dhe shpalli ambiciet e tij për të garuar në garën për kreun e PD-së, Sali Berisha doli me një skenar të ri për ish-deputetin. Në konferencën nga selia blu, kreu i PD aludoi se 3 muaj para se Salianji të përfundonte dënimin për çështjen “Babale” doli nga burgu dhe i shkoi në seli. Sipas Berishës, Salianji i ka rrëfyer se që të lirohej me kusht nga burgu, Gjykata dhe Drejtoria e Burgjeve i kishin kërkuar të nënshkruante një deklaratë në të cilën do duhej të deklaronte se nuk do e vriste ish-ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj.
Kreu i PD aludon se e ka këshilluar ish-deputetin e tij që të mos e nënshkruajë një deklaratë të tillë, pasi nuk ka punë me Xhafën dhe se ai është një i burgosur politik. Pasi Salianji doli nga qelia, Berisha pretendon se e ka pyetur se çfarë bëri me deklaratën dhe se ish-deputeti i ka thënë se nuk ia kërkuan më. Kryedemokrati konfirmoi edhe lënien jashtë garës për kreun e PD, të Salianjit duke e quajtur të birësuar politikisht.
“Një ditë më vjen nga burgu në zyrë, se mirë është meqenëse e hapëm bisedën, dhe më thotë, erdha të të marr një mendim. Çfarë mendimi, i them unë. Urdhëro, e prita mirë. Sigurisht, kemi bërë gjithçka për ta cilësuar të burgosur politik dhe e ka merituar plotësisht. Çfarë mendimi? Tani, thotë, më kanë ngelur tre muaj burg. Për të dalë më takon të dal sipas ligjit, por kërkojnë një deklaratë në të cilën duhet të garantoj se nuk do vras Fatmir Xhafën. Kush ta kërkon këtë? Ma kërkon gjykata dhe drejtoria e burgut. I them unë, po ti je i burgosur politik. Nuk ke punë me Fatmir Xhafën, nuk je zënë, nuk je sharë, nuk je rrahur me Fatmir Xhafën. Meqë më pyet mua, unë të këshilloj që një deklaratë të tillë të mos e bësh se ti merr fajësinë në këtë mes. Të thuash që unë nuk kam ndërmend të vras Fatmir Xhafën, do të thotë se Fatmir Xhafa të burgosi ty se e ke kërcënuar.
Kjo është e vërteta. Natyrisht, ai ishte në burg dhe unë nuk mund të merrja përsipër më shumë se kaq. Këshilla ime është që ju të mos e firmosni se kjo të fajëson dhe ti je i ri në karrierë dhe ke karrierë përpara. Mirë, tha. Iku. Doli, erdhi. Çfarë bëre me atë? Jo, tha, nuk ma kërkuan më. Tani, të tjerat lexojini vetë. Kështu që, nuk është përgjegjësia ime për atë që birësohet politikisht këtu apo aty, apo këndej dhe andej. Ka bërë zgjedhjen e tij”, tha Berisha.
Sa i takon akuzave për Xhafajn, Salianji i hedh poshtë dhe thotë se halli i vetëm i Berishës është që mos i vrasin Ramën me votë, ndërsa me ironi thotë se burri ka gjithë jetën kohë të turpërohet, por të bjerë në këtë nivel është e paimagjinueshme.
“Në mungesë të votës, shpik etiketa. Në mungesë të garës, shpall “të vetëpërjashtuar”. Sa më shumë flet për përjashtime, aq më e qartë bëhet frika nga gara. Partia Demokratike nuk është klub privat ku hyrjet dhe daljet vendosen me humorin e një njeriu, por një forcë politike që duhet të funksionojë me rregulla dhe me votën e anëtarëve të saj. Ironike që ky që flet për demokraci, është i pari që i trembet asaj.
Unë nuk kam nevojë për bekime, as për leje. Kam vetëm një kërkesë: garë të hapur dhe votë të lirë. Pjesa tjetër është zhurmë për të mbuluar frikën. E frikë bën mirë që ka se e ka keqpërdorur funksionin për interesa personale dhe biznesi! Demokratët duan një Parti Demokratike fituese!
Sa për hallin që ka se mos “vras” Xhafën”, i flet subkoshienca se ka merak se mos “vrasim” Ramën me votë. Burri ka kohë te turpërohet gjithë jeten e vet, por të bier në këtë nivel është e paimagjinueshme dhe është fiks siç nuk e urojnë as kundërshtarët më të ashpër!
Shpifje si kjo tregojnë sa të madhe e ka frikën dhe dëshpërimin. Akuzat për vrasje dihet kush i ka mbi shpinë, siç dhe tregon mëndesinë vrasëse sepse dikush që dëgjon këto biseda dhe nuk i denoncon tregon për veten! Meqë ky po e mbështet SPAK këtë periudhë, unë jam i gatshëm dhe i bëj thirrje SPAK të nisë hetimin për tentativë vrasje ose moskallëzim krimi”, shkruan Salianji.



