Një raport zyrtar në ShBA dëshmon se instrumenti financiar të cilit Behgjet Pacollit provoi t’ia transferonte jashtëligjshëm kontrollin e Aeroportit të Vlorës, rezulton pjesë e një fondi të përbashkët investues me Federatën Ruse.
Struktura financiare të cilës biznesmeni Behgjet Pacolli u përpoq t’ia kalonte nën kontroll të gjitha aksionet e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (VIA Sh.P.K), rezulton pjesë e një fondi investues bashkë me borxhin sovran rus (Russian Foreign Bond), tregon një raport zyrtar financiar në ShBA.
Compartment Bernina”, një nën-fond që menaxhohet nga kompania investuese “Delphos Securities”, posedon letra me vlerë në fondin ndërkombëtar “GMO Emerging Country Debt Fund”, tregon ky dokument i dorëzuar pranë Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve (SEC).
Bazuar në dokumentet zyrtare të cilat janë publikuar në EDGAR, e cila operon nën ombrellën e agjencisë qeveritare amerikane SEC, ky fond ndërkombëtar ka një bilanc prej 17.5 milionë dollarë të lidhur me “Compartment Bernina”.
Bernina është një nën-fond investues brenda kompanisë “Delphos Securities SARL”, i krijuar për të menaxhuar dhe administruar investimet lidhur me Aeroportin e Vlorës.
Emri i kësaj kompanie ndodhet në qendër të skandalit të tetorit të vitit të kaluar që u nxor në pah pas krisjes së raporteve mes dy ortakëve kryesorë të Aeroportit të Vlorës: Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit.
Përplasja mes tyre u nxit nga një marrëveshje e lidhur mes kompanisë nën pronësi të Pacollit, “Mabco Constructions S.A” dhe fondit investues “Delphos Securities”, përmes të cilës biznesmeni nga Mareci synonte t’ia kalonte aksionet e Aeroportit të Vlorës këtij fondi investues, tinëzisht dhe pa e njoftuar ortakun e tij.
Kjo skemë e dyshimtë e tentim-dorëzimit të Aeroportit në duart e një kompanie offshore, ishte përthëkuar nën formulimin e gjoja “një marrëveshje kredie” në vlerë 100 milionë euroshe të Mabco-s, marrë nga Delphos me norma paarsyeshmërisht të larta interesi.
Hileja dyshohet se ishte e thjeshtë: në rast se Pacolli nuk do ta shlyente kredinë me interes fillestar 7.6%, atëherë aseti kyç strategjik i shtetit shqiptar do t’i kalonte nën kontroll financiar “Compartment Berninës”.
Skema e Pacollit nuk kaloi.
Një gjykatë në Shqipëri caktoi masë të sigurisë mbi aksionet e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke pamundësuar zbatimin e ujdisë së dyshimtë.
Fondi ndërkombëtar “GMO Emerging Country Debt Fund” dhe të dhënat të këtij fondi të publikuara nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Shkërbimeve (SEC), dëshmojnë për lidhje mes Pacollit dhe rusëve.
Të dhënat publike pranë kësaj agjencie dëshmojnë se fondi “GMO Emerging Country Debt Fund”, në të cilin Bernina posedon 17.5 milionë dollarë amerikanë letra me vlerë, mban obligacione të emetuara drejtpërdrejt edhe nga shteti rus.



