Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) ka reaguar pas votimit të Luljeta Aliut si anëtare e Komisionit të Pavarur të Mediave. Madje, në lidhje me këtë rast, ata do ta lajmërojnë edhe Këshillin e Evropës.
Sipas një reagimi të tyre të shpërndarë në Facebook, Aliu në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si e pavarur.
“Aliu rregullisht dhe publikisht e ka përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje dhe politikat e tyre. Në asnjë mënyrë ajo nuk mund të konsiderohet e pavarur.” – thuhet në këtë reagim.
Tutje, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias kanë shprehur keëardhjen për këtë zhvillim, pasi që bie në kundërshtim me nismën e VV-së për depolitizimin e KPM-së.
“Në dritën e aplikimin së Kosovës për anëtarësim, ne do të iniciojmë menjëherë shkëmbimin me Këshillin e Evropës dhe PACE për t’i informuar ata për këtë zhvillim shqetësues që do të ketë ndikim të madh në pavarësinë e KPM-së.” – thuhet mes tjerash në reagim.
Reagim po aq i ashpër ka ardhur nga Sekretari i Federatës Europiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez.
Kosovë: Sa zhgënjyese që partia në pushtet e Kosovës, Levizja Vetëvendosje (LVV, qendra e majtë) dhe presidenti i saj, Albin Kurti, zgjodhën një nga aktivistët e tyre famëkeq, Luljeta Aliu, anëtare të Komisionit të Pavarur për Media (KPM). Ky emërim politik të jep vërtet përshtypjen se partia në pushtet po i shpërblen aktivistët e saj për mbështetjen e tyre duke u ofruar atyre një pozitë në një organ publik që duhet të jetë i pavarur”, thuhet në reagimin e tij.
Tutje shtohet se, ata që e kundërshtojnë këtë emërim, mund të mbështeten tek ai për ta denoncuar atë, si edhe tek kolegët e tij dhe partnerët në Këshillin e Europës.
Pos këtyre, ai ka thënë se emërim shkel qartë standardet e vendosura nga KE.
Kjo qeveri, sipas Memil Krasniqit dëshmoi edhe njëherë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave.
“Media e lirë dhe e pavarur është një nga platformat e rëndësishme jopolitike, e cila, përveç që informon qytetarët, monitoron dhe mban përgjegjës pushtetin në raport me politikat dhe veprimet që bien ndesh me ligjin dhe qeverisjen e mirë”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Mediat, deri sot, u kanë penguar vetëm qeverive autokratike dhe, natyrisht, qeverive të dështuara, të cilat, përveç aferave dhe degradimit nuk prodhojnë asgjë tjetër.
Me emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, kjo Qeveri dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave.
Media e lirë dhe e pavarur është një nga platformat e rëndësishme jopolitike, e cila, përveç që informon qytetarët, monitoron dhe mban përgjegjës pushtetin në raport me politikat dhe veprimet që bien ndesh me ligjin dhe qeverisjen e mirë.
Vetëm një pushtet i korruptuar dhe autokrat synon kontrollin politik të mediave dhe të institucioneve të pavarura e, fatkeqësisht, kjo po ndodhë tash e dy vjet në vendin tonë.
Larg duart nga mediat!