Irani ka njoftuar se do të lejojë kalimin e lirë të të gjitha anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit për aq kohë sa do të zgjasë armëpushimi në Liban, i cili u vendos të jetë për 10 ditë.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili theksoi se vendimi lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e marrëveshjes për ndalimin e luftimeve në territorin libanez.
Sipas tij, kalimi në këtë korridor detar me rëndësi jetike për tregtinë globale do të zhvillohet pa ndërprerje, ndërsa anijet do të ndjekin një itinerar të koordinuar, të përcaktuar nga autoritetet iraniane të porteve dhe transportit detar.
“Brenda kuadrit të armëpushimit në Liban, kalimi i të gjitha anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i lirë për pjesën e mbetur të kohëzgjatjes së armëpushimit, duke ndjekur rrugën e koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Organizata e Porteve dhe Transportit Detar e Republikës Islamike të Iranit”, thuhet në deklaratën e Araghchi-t.
Ndërkohë, zhvillimi vjen në një moment tensioni të lartë në rajon, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane, me synim ndalimin e eksporteve të naftës nga Teherani.
Sipas kompanisë së monitorimit detar Kpler, tre cisterna iraniane, “Deep Sea”, “Sonia I” dhe “Diona”, janë anijet e para të ngarkuara që kanë lënë Gjirin Persik përmes Ngushticës së Hormuzit që nga hyrja në fuqi e bllokadës.
Mësohet se këto anije transportonin rreth pesë milionë fuçi naftë bruto dhe kishin marrë ngarkesën në ishullin Kharg në fillim të këtij muaji.
Të dhënat tregojnë se që prej 10 prillit, kur u largua cisterna “Starla”, asnjë tjetër nuk kishte kaluar përmes kësaj rruge strategjike, deri në zhvillimet më të fundit.



