Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës ulje të taksës doganore për kondicionerë, televizorë dhe telefona. Propozimi i OEK paraqitet si masë kundër inflacionit dhe informalitetit, duke theksuar se Kosova ka normat më të larta të taksës doganore në rajon për këto produkte.
Oda Ekonomike Amerika i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës një propozim të detajuar për uljen e taksës doganore për disa produkte të rëndësishme.
Propozimi kërkon ulje të tatimit doganor për kondicionerë, televizorë LCD dhe LED, si dhe smartfonë.
Dokumenti, të cilin e ka parë gazeta Nacionale, thekson se Kosova aplikon norma doganare ndër më të lartat në rajon për disa kategori produktesh.
Duke cituar Agjencinë së Statistikave të Kosovës (ASK), OEK vlerëson norma vjetore e inflacionit në qershor të vitit 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, shënoi 14.1 për qind.
Sipas dokumentit të propozuar, ky nivel është rreth pesë pikë përqindjeje mbi normat e inflacionit të regjistruara njëkohësisht në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Propozimi që i është dorëzuar Qeverisë thekson se Kosova ndryshe nga shtetet e tjera, nuk disponon mjet të politikës monetare për të luftuar inflacionin dhe se masa fiskale mbeten rruga e vetme e ndërhyrjes.
Kondicionerët — efiçiencë energjetike si argument kryesor
Në propozimin e saj, OEK argumenton se kondicionerët e tipit “inverter” paraqesin alternativën më efiçiente energjetike për ngrohjen e banesave gjatë dimrit.
Sipas dokumentit, kondicionerët me cikël të kundërt janë “300–600% efiçientë”, që do të thotë se nga një njësi energjie elektrike prodhojnë tre deri në gjashtë njësi energji termike.
Ndër të tjera thuhet se KESCO ka publikuar të dhëna sipas të cilave, për familjet që ngrohen me energji elektrike, shpenzimet e ngrohjes mund të arrijnë deri në 60–70 për qind të faturës totale të energjisë.
Propozimi vlerëson se adoptimi masiv i kondicionerëve inverter do të reduktonte konsumin gjatë orëve të pikut, duke lehtësuar presionin mbi infrastrukturën energjetike të vendit.
Në aspektin krahasues rajonal, sipas dokumentit, Serbia aplikon normën më të ulët doganore prej 5 për qind për kondicionerë, ndërkohë që Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina aplikojnë 15 për qind.
Tutje, thuhet se norma standarde e Bashkimit Evropian për kondicionerë është vetëm 2.2 për qind, e cila është dukshëm nën normën aktuale prej 10 për qind që aplikohet në Kosovë.



