2026/05/27
Banner Top
Osmani takon Tërnavën për Kurban Bajram: Uroj për më shumë solidaritet njerëzor, është i domosdoshëm sot për Kosovën

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e festës së Kurban Bajramit ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ku ka përcjellë urimet e saj për qytetarët dhe ka falënderuar institucionet fetare për punën e tyre humanitare dhe institucionale.

Osmani uroi që kjo festë të sjellë më shumë begati, shëndet dhe solidaritet mes njerëzve.

“Më lejoni që edhe në emër të bashkëpunëtorëve, t’iu uroj festën e Kurban Bajramit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që festojnë këtë festë, t’u uroj për sa më shumë begati, t’u uroj shëndet dhe të gjitha të mirat për secilën familje që feston sot në Kosovë dhe mbi të gjitha t’u uroj për më shumë solidaritet ndërnjerëzor, i cili është i domosdoshëm në këtë kohë në të cilën po kalon Kosova”, tha Osmani.

Ajo theksoi gjithashtu rolin e Bashkësisë Islame në ndihmën ndaj familjeve në nevojë dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Dua edhe sot ta falënderoj myftiun, unë dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij, dhe gjithë Bashkësinë Islame për punën që e bëjnë, për punën që e bëjnë në dy rrafshe, në rrafshin e parë duke ndihmuar ata që kanë më së shumti nevojë, jo vetëm në këtë Kurban Bajram, por edhe në çdo situatë tjetër, duke u siguruar që ata i kanë sofrat plot, duke u siguruar që ata mund ta festojnë edhe këtë festë sot me begati në sofrat e tyre dhe në të njëjtën kohë t’i falënderoj për bashkëpunimin që e kemi pasur, për ta ngritur edhe më shumë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, për ta forcuar atë edhe sa më shumë dhe për t’u siguruar që sa më shumë shtete anëkënd botës e mbështesin Republikën tonë”, tha Osmani.

Sipas saj, Bashkësia Islame e Kosovës jep një kontribut të rëndësishëm atdhetar dhe shoqëror.

“Ky është edhe një kontribut atdhetar të cilin Bashkësia Islame e Kosovës vazhdon ta japë për të cilin jemi jashtëzakonisht shumë mirënjohës. Urimet edhe njëherë Kurban Bajrami gjithë qytetarëve që festojnë, edhe juve”, shtoi ajo. /eo

Banner Content