Policia e Malit të Zi ka arrestuar shtetasin kosovar Bashkim Gashi (46), i cili dyshohet se në natën mes së martës dhe së mërkurës në Ulqin, në lagjen Kodre, ka vrarë bashkëjetuesen e tij dhe më pas i ka vënë zjarrin shtëpisë ku jetonin së bashku.
Sipas njoftimit të policisë malazeze, rreth orës 00:30 është raportuar për zjarr në një objekt banimi, ku pas intervenimit të policisë në vendin e ngjarjes është gjetur trupi i pajetë i një gruaje, e identifikuar më vonë si D.N. (36), shtetase e Shqipërisë.
Pak më vonë, policia ka gjetur dhe ka kontrolluar një person me lëndime të shkaktuara nga zjarri, i cili është konstatuar se është i dyshuari Gashi. Ai fillimisht është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Bar, ndërsa më pas në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë.
Nga policia është bërë e ditur se në koordinim me prokurorinë kompetente janë ndërmarrë të gjitha masat hetimore, përfshirë mbledhjen e deklaratave, sekuestrimin e kamerave të sigurisë dhe provave materiale nga vendi i ngjarjes, të cilat do të jenë objekt i ekspertizës. Sipas dyshimeve fillestare, ai dyshohet për vrasje të rëndë dhe më pas për zjarrvënie me qëllim të fshehjes së gjurmëve.



