2026/05/29
Banner Top
Mbledhje urgjente në Rumani pas sulmit të dronit rus, thirret për sqarime ambasadori i Rusisë

Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit të Mbrojtjes pas rrëzimit të një droni rus mbi një pallat banimi. Për sqarime është thirrur edhe ambasadori rus në Bukuresht.

Presidenti rumun deklaroi se ngjarja kërkon një reagim të koordinuar në nivel kombëtar, ndërkombëtar dhe në kuadër të NATO-s. Ai theksoi se përgjegjësia e plotë për incidentin bie mbi Federatën Ruse.

Sipas tij, ngjarja është pasojë direkte e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe e përdorimit të pakujdesshëm të sistemeve ushtarake pranë kufijve të NATO-s.

Rumania njoftoi se ka informuar të gjithë aleatët e NATO-s dhe partnerët e Bashkimit Europian për incidentin. Gjithashtu, Bukureshti ka kërkuar vendosjen e kapaciteteve shtesë kundër dronëve në territorin rumun për të forcuar mbrojtjen në krahun lindor të aleancës.

Autoritetet rumune pritet të informojnë edhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së për atë që e cilësojnë si shkelje të përsëritur të ligjit ndërkombëtar nga Rusia.

Ndërkohë, edhe Franca ka thirrur për sqarime ambasadorin rus pas incidentit.

Droni rus goditi një pallat në qytetin lindor Galați, pranë kufirit me Ukrainën dhe Moldavinë. Shpërthimi shkaktoi zjarr në katin e dhjetë të ndërtesës.

Dy persona morën ndihmë mjekësore për plagë të lehta, ndërsa rreth 70 banorë u evakuuan gjatë operacionit të zjarrfikësve.

Kjo është hera e parë që qytetarë rumunë lëndohen nga një incident i lidhur me dronët rusë gjatë luftës në Ukrainë. Deri tani, Moska nuk ka reaguar zyrtarisht për ngjarjen.

Banner Content