Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim presidentin e Këshillit Europian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor dhe përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat.
Në njoftimin e Presidencës për takimin thuhet se Haxhiu e falënderoi Costan për vizitën në Kosovë dhe për vëmendjen e vazhdueshme të Këshillit Europian ndaj rajonit. Ajo theksoi se për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet orientim strategjik, zgjedhje politike e qytetarëve dhe interes afatgjatë shtetëror.
“U.d. Presidentja Haxhiu nënvizoi se Kosova mbetet një nga shoqëritë më proeuropiane në rajon. Për qytetarët e saj, Bashkimi Europian është bashkësi e demokracisë, sundimit të ligjit, paqes dhe dinjitetit. Në një kohë ndikimesh të dëmshme në rajon, orientimi i qartë dhe i rrënjosur evropian i Kosovës duhet të shihet si vlerë për vetë Bashkimin Evropian”, tha Presidenca.
Presidenca shtoi se në takim u diskutua për “rrugën europiane të Kosovës, për nevojën e avancimit të procesit të integrimit, si dhe për rëndësinë e zbatimit të reformave që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.



