Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundër Kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër Rendit Kushtetues të Republikës se Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.
Në njoftim të Prokurorisë Speciale thuhet se të pandehurit D.M., D.D., M.R., N.J., N.O., dhe S.V., akuzohen se, nga 10.12.2022 deri më 29.12.2022, në komunat veriore të Republikës së Kosovës, duke vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Republikës së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në këto komuna.
Sipas aktakuzës, ata kanë bllokuar rrugët kryesore me mjete të rënda, përfshirë kamion të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.
“Po ashtu, nga veprimet e tyre rezulton se, në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm t’i sulmonin zyrtarët policorë me mjetet që kishin në dispozicion”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se ka pezulluar ndërkohë hetimet për disa persona të tjerë, përfshirë edhe Millan Radojicicin, për shkak se deri më tani të njëjtit janë të paarritshëm për organet e ndjekjes.
“Ndërsa, ndaj të pandehurve M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R., dhe M.R., janë pezulluar hetimet, pasi ata deri më tani janë të paarritshëm për organet e ndjekjes”, njofton prokuroria./Express/



