Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar përsëri për situatën në veri të vendit dhe shtyrjen e afatit për targat, deri në 48 orët e ardhshme, raporton GazetaBlic.
Përmes një shkrimi në “Facebook”, Haradinaj thotë se veprimet e Kurtit janë të pakuptueshme dhe të rrezikishme për qytetarët e Kosovës, teksa thotë se është i shqetësuar për dështimin e qeverisjes së Kurtit dhe dështimin e Kosovës për këtë çështje. Haradinaj thotë se fajtori i vetëm për këtë gjendje të krijuar e ka vetëm një emër, e ai është Albin Kurti
Shkrimi i plotë:
Sjellja dhe veprimet e Kryeministrit të Kosovës, në raport me situatën e krijuar në vend, gjatë gjithë këtyre ditëve, ka qenë jo vetëm e pakuptueshme por edhe e rrezikshme.
Mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, e ka sjellë situatën buzë shpërthimit. Kemi ardhë në një situatë që do të mund të rrezikonim jetët e qytetarëve të Kosovës por edhe të policëve.
E gjithë kjo, për arsye krejt të paqëndrueshme, për ta kthyer situatën e para një muaji, ku kursi i gabuar që kishte zgjedhur Kryeministri, ka shkaktuar dëmë të mëdha, duke asgjësuar një punë të jashtëzakonshme që ishte bërë gjatë gjithë këtyre viteve për integrimin e serbëve në instutucionet ë vendit.
E kuptoj sjelljen e plot kundërshtarëve politikë të Kryeministrit që i gëzohen fundosjes politike të tij, por unë jam i shqtësuar, jo për dështimin e Kryeministrit, por për dështimin e të gjithë neve si Kosovë.
Jam tejet i shqetësuar me faktin se sot në sytë e BE dhe të SHBA, Kosova nga viktimë, është shndërruar në fajtor për situatën e krijuar, ndërsa Serbia është shndërruar në partner konstruktiv.
Fajtori i vetëm për këtë gjendje të krijuar e ka vetëm një emër, e ai është Albin Kurti.
Kurti arriti t’i dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës edhe me SHBA edhe me evropianët;
Kurti arriti ta heqë nga tavolina draftin dhe përpjekjen për të arritur marrëveshje përfundimtare për njohje me Serbinë;
Kurti arriti të vendosë populizmin dhe egoizmin e tij mbi interesat e shtetit të Kosovës;
Kurti arriti ta nxjerrë veriun nga kontrolli i Kosovës;
Kurti arriti ta kthejë shtetin e Kosovës në shtetin e një individi që vet vendosë dhe vet vulosë;
Kurti arriti të rikthejë tensionet për të cilat askush nuk mund ta parashikojë fundin;
Kurti arriti ta çojë Kosovën në prag të ndarjes së veriut nga pjesa tjetër e shtetit;
Dhe në fund, Kurti arriti të dëmtojë rëndë imazhin e Kosovës demokratike, multietnike, të përgjegjshme dhe që merr vendime të bashkërenduara me partnerët ndërkombëtarë duke e kthyer nga kontribues të stabilitetit në rajon, në element destabilizues.
Gjendja është kjo që është. Albin Kurti sot e ka vëtëm një rrugë, që është bashkëpunimi i ngushtë e pa kushte me partnerët tanë, posaçërisht me SHBA. Dhe këtë duhet ta bëjë jo për vete dhe qeverinë e tij, por për vendin, siguria e të cilit sot është më e rrezikuar se asnjëherë më parë.