Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se emisari special, Miroslav Lajçak ka bërë një përpjekje të fundit për të përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse në dokumentin që iu prezantua palëve gjatë negociatave Kosovë-Serbi të premten.
Megjithatë, Kurti tha se këtë dokument e refuzoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas kryeministrit Kurti, derisa po bëhej kjo përpjekje e fundit për të arritur marrëveshjen, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell “veçse ndodhej në konferencë për media”.
“Unë isha i fundit që lëshova ndërtesën e Bashkimit Evropian. Sepse gjithmëonë ekziston mundësia edhe për një përpjekje të fudnit. Dhe, më duhet të ju njoftoj se ka pasur edhe një përpjekje të fundit. Emisari Lajçak ka ardhur te dhoma ku ndodhej delegacioni ynë dhe e bëri edhe një përpjekje të fundit për një tekst i cili do ta përfshinte edhe propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo më vonë na njoftoj se presidenti i Serbisë nuk e ka pranuar këtë, ndërkaq përfaqësuesi i lartë i BE-së tashmë ndodhej në konferencë për media”, tha Kurti.