Kurti e ka fshirë nga fjalori bashkimin, por 28 nëntori për të është ditë më e madhe se 17 shkurti

0
149

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, në shënim e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në fjalën e tij, 28 Nëntorin, Kurti e ka vlerësuar si “ditën më të madhe shtetërore të Kombit”. Megjithatë, në fjalimin e tij nuk haset thirrja që e karakterizonte Kurtin si opozitar, ajo për bashkim kombëtar.

“Edhe një herë ju uroj ditën më të madhe shtetërore të Kombit. Gëzuar 28 Nëntori!”, ka thënë Kurti.

Kurti, duke folur për integrimin e shqiptarëve, ka thënë se Ballkani e Evropa përfitojnë siguri nëse integrimi bëhet sipas vështrimeve të Ismail Qemalit dhe bashkëfirmëtarëve të tij.

“Ne do t’i japim siguri e paqe Ballkanit dhe Evropës nëse integrohemi sipas vështrimit të Ismail Vlorës dhe bashkëfirmëtarëve të tij”, ka thënë Kurti para të pranishmëve.

“Nëse Kosova mbërrin synimin e saj të anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, shqiptarët do të jenë edhe më të integruar në vlerat e demokracisë perëndimore. Sepse ne besojmë në këto vlera, por për këtë arsye duhet të jemi më të zëshëm, më të njëzëshëm. Çdo 28 Nëntor duhet të masim bashkërisht cilësinë dhe forcën e këtij zëri”, ka thënë tutje kryeministri.

Kurti ka thënë se një shekull më parë shqiptarët ishin të qartë mbi atë çka u duhej.

“Sot jemi jo vetëm të qartë, por kemi edhe forcën shtetërore të bëjmë gjithçka për të mos toleruar rikthimin e praktikave të pushtimeve dhe pretendimeve territoriale. Në një shekull të drejtësisë botërore, popull historik nuk duhet të jetë më ai që pushton, por ai shtet që mbron aktivisht të drejtat e njeriut, pluralizmin politik dhe barazinë mes njerëzve. Edhe diçka. Mos të harrojmë se historia shkruhet në vetën e parë kolektive në vetën e parë shumës, por se duhet të lexohet në vetën e parë individuale, në vetën e parë njëjës. Si popull historik i drejtë, ne e kemi një maksimë që prej Rilindjes së Sami Frashërit: një shtet që nuk e respekton përmasën e vet kombëtare, nuk mund ta sigurojë lulëzimin e vet shoqëror. Kjo maksimë duhet të jetë vazhdimisht në qendër të integrimit tonë shqiptar dhe të integrimit evropian e euroatlantik”, ka thënë ai para mysafirëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here